ShqipEnglish
Programi legjislativ i Ministrive PDF Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Strategjia e sigurisë së Republikës së Shqipërisë

PËRMBAJTJA

HYRJE


PJESA E PARË
STRATEGJIA E SIGURISË


    I. Koncepti i Strategjisë së Sigurisë
    II. Objektivat e sigurisë

 

PJESA E DYTË
KUADRI STRATEGJIK I SIGURISË


    III. Mjedisi i sigurisë
    IV. Kërcënimet dhe rreziqet për sigurinë
    V. Interesat kombëtare

 

PJESA E TRETË
ELEMENTET E FUQISË KOMBËTARE


    VI. Diplomacia
    VII. Mbrojtja e rendit publik
    VIII. Politika ekonomiko-financiare
    IX. Mbrojtja civile
    X. Mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit
    XI. Marrëdhëniet me opinionin publik
    XII. Politika e mbrojtjes

 

PJESA E KATËRT
UDHËHEQJA E STRATEGJISË SË SIGURISË


    XIII. Bazat kushtetuese të udhëheqjes

 

HYRJE

Strategjia e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë është dokument me karakter kombëtar, mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasqyron zhvillimet e politikave shtetërore për sigurimin e qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit demokratik shqiptar ndaj kërcënimeve e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme.

Legjislacioni dhe veprimtaria në fushën e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë përputhet me standartet dhe parimet e shtetit demokratik, si dhe me aktet ndërkombëtare të pranuara prej saj.

Siguria e vendit garantohet kur përmbushet me efektivitet mbrojtja e interesave kombëtare në shtirje kohore dhe në vështrim perspektiv.

    * Misionet themelore të Strategjisë së Republikës së Shqipërisë janë:
    * Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;
    * Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial;
    * Mbrojtja e jetës dhe pasurisë;
    * Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;
    * Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare;
    * Antarësimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë;

Interesat e shtetit kërkojnë mbrojtjen e Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, përsosjen e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e jetës dhe pronës private të qytetarëve, zhvillimin e ekonomisë së tregut, në funksion të prosperitetit dhe sigurisë kombëtare.

Mbrojtja dhe zhvillimi i identitetit dhe idealit kombëtar konsiderohen me rëndësi jetike për të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Propagandimi, edukimi dhe mbrojtja e vlerave historike, kulturore, morale e shpirtërore, ngrejnë lart dinjitetin e kombit. Shqipëria mbron dhe respekton me ligj të drejtat dhe liritë e njeriut.

Republika e Shqipërisë synon të jetë një faktor stabiliteti e paqeje në rajon dhe nuk shpreh armiqësi dhe pretendime territoriale për ndryshim kufijsh me përdorimin e forcës. Shqipëria është kundër krijimit të krizave e konflikteve rajonale dhe të zgjidhjes së tyre me mjetet e dhunës.

Antarësimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive garanton më së miri forcimin e mëtejshëm të sigurisë së vendit dhe i shërben interesave të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në rrugën drejt antarësimit do të realizojmë gjithashtu edhe shfrytëzimin e mekanizmave të partneritetit me këto organizata në dobi të sigurisë kombëtare.

Ndërtimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të sinqerta e të ndërsjellta me fqinjët, si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen, janë përparësi për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

Konsolidimi dhe zhvillimi i instrumentave të Sigurisë i shërbejnë mbrojtjes së interesave kombëtare dhe nuk cënojnë interesat apo sigurinë e vendeve të tjera. Ato janë shprehje e politikave të ruajtjes së sovranitetit e pavarësisë, lirisë dhe prosperitetit, të paqes dhe integritetit të një shteti demokratik, në mbrojtje të vetvetes dhe si një garanci për t'u bërë kontribues në kuadrin ndërkombëtar.

 

PJESA E PARË
STRATEGJIA E SIGURISË


I. KONCEPTI I STRATEGJISË SË SIGURISË

1. Strategjia e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë përfaqëson tërësinë e pikëpamjeve politike zyrtare mbi sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet e jashtme e të brëndshme. Ajo ka objektiv përballimin e sfidave të mundshme të sigurisë në të tashmen dhe të ardhmen, duke marrë në konsideratë mjedisin gjeostrategjik të sigurisë, shkallën e garancisë që japin sistemet kolektive të Sigurisë, si edhe burimet e kapacitetet reale në dispozicion të vendit.

2. Tipari themelor i Strategjisë së Sigurisë është respektimi i shtetit ligjor. Strategjia e Sigurisë e ka burimin dhe mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjislacionin shqiptar. Ajo respekton të gjitha marrëveshjet, traktatet e konventat ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. Strategjia e arrin suksesin e saj përmes përafrimit të këndvështrimeve nga të gjithë aktorët dhe faktorët e sigurisë pavarësisht nga përkatësitë e ndryshme të tyre.

3. Strategji me vizion në funksion të integrimit. Mbrojtja kolektive është perspektiva e pritshme e të gjitha vendeve që synojnë standartet bashkëkohore dhe demokratike të sigurisë. Strategjia e Sigurisë e Republikës së Shqipërisë mbështet konceptin e afrimit të shpejtë të vendit tonë, nëpërmjet reformave të përshkallëzuara e shumëplanëshe, në strukturat kolektive të sigurisë evropiane dhe euroatlantike, me theks të veçantë në ato të BE-së dhe të NATO-s, bazuar në dispozitat e Kartës së Kombeve te Bashkuara mbi sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Ajo konsideron që përpjekjet për integrimin në strukturat kolektive do të shoqërohen me konsolidimin e reformave në sistemin e sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, për t'iu përshtatur dhe përafruar organizimit dhe funksionimit të strukturave kolektive.

4. Kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri. Vendi ynë është një vend partner dhe aspirant i NATO-s, i përfshirë në negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në, si dhe në një numër të konsiderueshëm iniciativash rajonale. Niveli i sigurisë së vendit do të rritet duke zbatuar me sukses programet dhe standardet e Partneritetit për Paqe (PpP), si edhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Një tjetër përqasje për rritjen e nivelit të sigurisë do të jetë pjesmarrja aktive dhe kontributi në iniciativat për rritjen e mirëbesimit politiko-ushtarak në rajon. Zbatimi i programeve të bashkëpunimit dy e më shumë palësh dhe i standardeve të integrimit, do të lidhet ngushtë edhe me vazhdimin e kontributit konkret të Shqipërisë në dobi të misioneve të përbashkëta në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale, të kryera gjithnjë me mandatin e organizmave ndërkombëtarë ku vendi ynë aderon.

5. Strategjia e Sigurisë është një strategji aktive për veprim. Strategjia e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë përcakton jo vetëm interesat, objektivat dhe prioritetet e vendit, por edhe rrugët dhe programet kryesore për realizimin e tyre. Strategjia e Sigurisë përbën një dokument të integruar me cilësinë dhe autoritetin e dokumentit bazë dhe orientues për zhvillimin e të gjitha strategjive sektoriale të institucioneve të shtetit ligjor. Synimi i saj është avancimi i mëtejshëm i interesave kombëtarë nëpërmjet konsolidimit të instrumentave kryesorë të sigurisë së vendit. Strategjia mbështet krijimin e një sistemi të planifikimit të sigurisë me përparesi arritjen e një rezultati konkret nën konceptin: "kush bën, çfarë, kur, dhe në bashkëpunim me kë ".

6. Strategjia e përzgjedhjes prioritare për përdorimin e burimeve. Vendi ynë ka aktualisht burime kombëtare të kufizuara dhe prioritete të përcaktuara. Për rrjedhojë përdorimi me përparësi i burimeve kryesore për zhvillimin e sektorëve jetikë të ekonomisë së vendit, të arsimit, të shëndetit publik, të infrastrukturave, për lehtësimin e çështjeve sociale si dhe për forcimin e institucioneve demokratike të vendit, do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e shkallës së sigurisë së vendit. Në kushtet e burimeve tona të kufizuara, kjo strategji mbështet me prioritet zhvillimin e strukturave kombëtare me dy ose më shumë funksione.

7. Dialog, bashkëpunim e mjete paqësore për zgjidhjen mosmarrëveshjeve. Respektimi i të drejtave të njeriut brenda territorit të RSH, pavarësisht nga përkatësia politike, fetare, krahinore, racore, etnike, kulturore apo e origjinës shoqërore, si dhe mbrojtja në rrugë institucionale e të drejtave të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, përfshi edhe të shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm apo të përhershëm jashtë vendit, do të përbëjë një nga përparësite kryesore të politikës sonë të brendshme e të jashtme. Strategjia mbështet ndryshimin e ndjeshëm të balancës së sigurisë në favor të mjeteve politike, të institucioneve të sigurisë dhe të diplomacisë, si dhe të dimensionit e dinjitetit njerëzor në një sistem demokratik. Përdorimi i forcës ushtarake do të bëhet vetëm për të garantuar të drejtën kushtetuese për të mbrojtur më çdo kusht interesat jetësorë të vendit, nëse ato cënohen, si dhe për të kontribuar në vend apo jashtë tij me misione humanitare në mbështetje të paqes. Shqipëria asnjëherë nuk do të përbëjë rrezik për fqinjët e saj, dhe as do të synojë të përdorë kapacitetet e veta ushtarake si mjet presioni e detyrimi ndaj palëve të tjera, sikundër ajo nuk do të pranojë që shtete të tjerë të përdorin ose të kërcënojnë përdorimin e kapaciteteve të tyre ushtarake kundër saj.

8. Promovimi i zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së tregut të lirë. Zhvillimi i një ekonomie të shëndetshme, duke luftuar ekonominë informale dhe korrupsionin, përbën një faktor kyç për konsolidimin e institucioneve dhe të unitetit të kombit dhe arritjen e standardeve të tjerë të rëndësishme për integrimin. Kjo do të ofrojë mundësi në rritje për zhvillimin e biznesit dhe një klimë ekonomike të favorshme për investitorët e huaj. Ndikimi i faktorit ekonomik për sigurinë kombëtare do të rritet gradualisht nëpërmjet pjesëmarrjes strategjike dhe integrimit të ekonomisë shqiptare në nivel rajonal, europian e më gjerë.

9. Konsolidimi i institucioneve të sigurisë së vendit. Efektiviteti i sistemit te sigurisë së vendit do të matet dhe vlerësohet me shkallën e sigurisë që ky sistem do të prodhojë për qytetarët e vet, për shtetin, për rajonin e më gjerë. Thelbin e reformës në fushën e sigurisë, si një proces gjithëpërfshirës e ciklik, do ta përbëjë konsolidimi i mëtejshëm transformues i të gjithë institucioneve të sigurisë. Kjo reformë do të fokusohet në zgjidhjen e sfidave reale që prekin qytetarin shqiptar dhe vendin, duke nisur që nga përballimi i kërkesave të zhvillimit ekonomik e deri tek lufta kundër korrupsionit, papunësisë e varfërisë. Reformimi bëhet i nevojshëm edhe për të luftuar rreziqet me karakter më trans-nacional si terrorizmin, trafiqet ilegale dhe krimin e organizuar. Këto sfida të reja do të kërkojnë zhvillimin e strategjive të reja sektoriale në diplomaci, ekonomi, mbrojtje, rend, drejtësi, shërbimet informative etj, duke reformuar institucionet përkatëse.

10. Forcat e Armatosura janë një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë së vendit. Ato do të synojnë përmbushjen e misioneve të tyre kushtetuese nëpërmjet zhvillimit të strategjisë e doktrinës ushtarake, një kuadri bashkëkohor ligjor dhe organizimit të një force ushtarake cilësisht më profesionale. Synimi i saj do te jete që, krahas misionit themelor kushtetues të mbrojtjes së pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit, të marrë pjesë aktivisht në një spektër të larmishëm operacionesh humanitare në vend, si dhe në misione ndërkombëtare me mandate kushtetuese jashtë vendit. Reforma e mbrojtjes do të mbajë në fokus të veçantë programimin e rishikimit periodik të zhvillimit e të pozicionimit të Forcave te Armatosura konform situatave te reja te mjedisit të sigurisë, duke reflektuar përgjigje konkrete nëpërmjet organizimeve, misioneve, detyrave dhe roleve të rinj për njësitë e FA, përherë në përputhje me nevojat konkrete të vendit dhe standardet e strukturave të mbrojtjes kolektive euroatlantike.

11. Përgjigje e organizuar ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Institucionet e sigurisë do të synojnë me përparësi, në bashkëpunim të ngushtë me organet e prokurorisë dhe me organizmat përkatëse ndërkombëtare, zbatimin e konceptit të parandalimit dhe të neutralizimit të kërcënimeve dhe të rreziqeve ndaj rendit publik. Goditja e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit do të konsistojë në një strategji e përgjigje të organizuar të institucioneve të konsoliduara të rendit publik, të drejtësisë, të shërbimit informativ, etj. Ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë ndaj sfidave të brendshme do të synohet të arrihet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të një kuadri ligjor specifik dhe zbatimit rigoroz të ligjit. Institucioni i drejtësisë do të garantojë zbatimin e ligjeve në vend duke vendosur si të drejtat, ashtu edhe sanksionet ndaj kujtdo që i shkel ato. Garantimi afatgjatë i interesave kombëtare kërkon përafrimin e legjislacionit në këto fusha në përputhje me normat e Bashkimit Evropian.

12. Përdorimi bashkëkohor i informacionit në mbështetje të sigurisë kombëtare. Sigurimi i shpejtë dhe i saktë i informacionit lidhet pazgjidhshmërisht me vendimmarrjen e duhur dhe veprimet e shpejta në funksion të neutralizimit të pasojave në dëm të sigurisë kombëtare. Strategjia e vlerëson informaconin si faktor shumë të rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare, duke respektuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, si dhe lirinë e mediave. Ruajtja e sigurisë kombëtare kërkon gjithashtu ndalimin e përdorimit të informacionit për qëllime të manipulimit të ndërgjegjes së publikut. Do të vazhdohet të kërkohet garantimi me ligje të veçanta i mbrojtjes së informacionit shtetëror të klasifikuar në fusha të veçanta, të atij ndërshtetëror, pa përjashtuar shkëmbimin e informacionit me organizmat ndërkombëtare që burojnë nga marrëveshje midis palëve.

13. Vlerësimi i faktorit mjedisor në sigurinë e vendit. Mbrojtja dhe rigjenerimi i natyrës shqiptare do të sigurojnë një mjedis ekologjik e kushte të favorshme jetese për qytetarët dhe shoqërinë. Interesat kombëtare kërkojnë marrjen e masave për shfrytëzimin racional të burimeve të natyrës nëpërmjet zhvillimit të një strategjie të balancuar sektoriale për mbrojtjen e mjedisit natyror në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.

 

II. OBJEKTIVAT E SIGURISË

14. Objektivat e Strategjisë së Sigurisë janë të planit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Realizimi i këtyre objektivave synon të krijojë një lidhje thelbësore ndërvepruese të interesave kombëtare, nevojave dhe mundësive të vendit.

15. Në planin afatshkurtër dhe afatmesëm qëndron angazhimi për realizimin e këtyre objektivave parësore:

    15.1 Paqe dhe siguri në vend. Stabiliteti i brendshëm i vendit është produkt i forcimit të shtetit ligjor për të mbrojtur qytetarët, shoqërinë civile dhe shtetin nga veprimet antiligjore.

    15.2 Bashkëpunimi rajonal. Në themel të këtij vizioni të ri qëndron ndërtimi i marrëdhënieve rajonale, në funksion të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Mbetet qëllim i përbashkët, integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike për të kthyer rajonin tonë në faktor paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti.

    15.3 Konsolidimi i shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut. Forcimi i institucioneve shtetërore është garanci për zhvillimin e shoqërisë demokratike. Një shoqëri me norma dhe standarte të larta në respektimin e të drejtave të njeriut përbën garanci për një mjedis të sigurtë dhe raporte harmonike individ-shoqëri. Individi, shoqëria dhe shteti kanë detyrime të përbashkëta për sigurimin e vendit. Shkelja e këtyre detyrimeve qoftë edhe nga njëra palë, dëmton rëndë sigurinë e tij. Roli aktiv i organizatave joqeveritare kontribuon në konsolidimin e standarteve demokratike të shoqërisë.

    15.4 Konsolidimi i institucioneve dhe i instrumentave të sigurimit. Këto duhen parë si një aftësi për të mbrojtur interesat kombëtare dhe si një përgjegjësi për të vepruar ndaj çdo situate. Ato konsiderohen si faktorë vendimtarë në suksesin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në një Shqipëri te zhvilluar.

    15.5 Fuqizimi i ekonomisë. Forcimi ekonomik i vendit, nivelet evropianë në infrastrukturë, protagonizmi në tregjet rajonale dhe evropiane do të mundësojnë shfrytëzimin me efektivitet të pozitës së favorshme gjeostrategjike të Shqipërisë.

16. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë do të mbahen parasysh këto objektiva parësore:

    16.1 Integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Antarësimi në NATO dhe BE mbetet objektiv parësor në funksion dhe në dobi të politikës së sigurimit të vendit.

    16.2 Përafrimi i legjislacionit me standartet e Bashkimit Europian. Përafrimi i legjislacionit dhe funksionimi efektiv i shtetit ligjor janë garanci afatgjata për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për integrimin e Shqipërisë.

    16.3 Çështja Kombëtare Shqiptare. Stabiliteti rajonal konsiderohet si kusht drejt integrimit të vendeve te rajonit në Europë. Shqipëria synon të jetë një partner aktiv në politikës rajonale. Në këtë kuadër çështja Kombëtare Shqiptare synohet të arrihet nëpërmjet integrimit europian dhe euroatlantik te vendeve të rajonit si edhe zgjidhjeve që sigurojnë garanci afatgjatë dhe të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.

    16.4 Mbrojtja e mjedisit dhe burimeve natyrore. Mjedisi dhe burimet natyrore janë elemente të pashtershme të gjenerimit të instrumentave të sigurisë.

    16.5 Konsolidimi i Forcave të Armatosura. Ky proces do të kryhet nëpërmjet rishikimit periodik të strukturave të Forcave të Armatosura në varësi të situatave dhe zhvillimeve në mjedisin e sigurisë. Aftësia mbrojtëse e tërësisë territoriale dhe pavarësia e vendit mbeten shprehje e vullnetit të popullit për të siguruar vetveten pa kërcënuar vendet e tjera.

    16.6 Lufta kundër terrorizmit. Lufta kundër terrorizmit angazhon drejtpërdrejt të gjitha strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Forcave të Armatosura. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me organizmat e specializuara ndërkombëtare, strukturat përkatëse do të punojnë në drejtim të pasurimit dhe përmirësimit të bazës ligjore dhe në ristrukturimin e organeve të specializuara. Objektivi i tyre është efikasiteti maksimal në luftën kundër terrorizmit.

    16.7 Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojnë të jenë në qendër të veprimtarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Institucionet ligjore shqiptare kanë për detyrë të ndërveprojnë mes tyre në mënyrë efikase. Zbatimi i ligjit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbën një element të rëndësishëm të Sigurisë së RSH-së.

 

PJESA E DYTË
KUADRI STRATEGJIK I SIGURISË


III. MJEDISI I SIGURISË

17. Zhvillimet botërore dhe rajonale në fillim të mijëvjeçarit të ri sollën një epokë të re në mjedisin strategjik ndërkombëtar të sigurisë. Këto zhvillime kanë ndikuar ndjeshëm në ndryshimin e politikës dhe mjedisit të sigurisë.

18. Trafiku i qënieve njerëzore, i armëve dhe i lëndëve narkotike, organizatat kriminale, krimi i organizuar, terrorizmi dhe përhapja e armëve të shkatërrimït në masë po shfaqen gjithnjë e më shumë si fenomene dhe sfida transnacionale, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në sigurinë, paqen dhe stabilitetin e vendeve. Këto veprimtari të jashtëligjshme e kanë zgjeruar gjeografinë e aktivitetit të tyre, duke kaluar përmasat e kufijve shtetërorë.

19. Prania e rrezikut nga këto fenomene ka bërë të domosdoshme përqasje gjithëpërfshirëse në politikat për sigurinë dhe stabilitetin, duke marrë në konsideratë të gjitha aspektet: politike, ushtarake, ekonomike, njerëzore, sociale, mjedisore, të informacionit, etj.

20. Kompleksiteti dhe karakteri ndërshtetëror i këtyre fenomeneve theksojnë rëndësinë e një veprimi kolektiv dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të masave të mirëbesimit të ndërsjelltë.

21. Përfshirja e shteteve të Evropës Qendrore e Lindore në institucionet ndërkombëtare, nxitja e nismave rajonale, proceset e partneritetit, bashkëpunimi, dialogu, transparenca, si dhe ndërtimi i masave të përbashkëta të sigurisë, janë rrugët më efektive për një mjedis të ri sigurie.

22. Zhvillimet historike e kanë identifikuar Ballkanin si një zonë me konflikte dhe tensione të shpeshta. Duke zënë një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjike, si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, historikisht ky rajon është përfshirë në konfiguracionin e influencave dhe të interesave të fuqive të ndryshme botërore, çka jo pak herë ka ndikuar që ai të kthehet në truall ballafaqimesh dhe konfliktesh. Nga ana tjetër arsyet e krizave të shumta që kanë karakterizuar këtë pjesë të Evropës shpjegohen edhe me faktin e ndarjeve etnike, përzierjes së kulturave të ndryshme dhe bashkësive fetare, prapambetjes në zhvillimin ekonomik, kulturor e demokratik.

23. Konfliktet ballkanike te viteve 90 e kane ekspozuar më tepër rajonin para sfidave dhe kërcënimeve të reja dhe ka bërë që ai të vihet vazhdimisht në qendër të fenomeneve si: trafiku i qenieve njerëzore, i armëve dhe lëndëve narkotike, krimi i organizuar dhe terrorizmi, rreziqe këto potenciale për stabilitetin dhe paqen në rajon. Për rrjedhojë, ai është përdorur shpesh si urë për aktivitete të paligjshme nga vende problematike dhe të origjinës për në vendet e destinacionit - në BE, apo më tej.

24. Si shumë vendeve të tjera të ish-bllokut lindor, Republikës së Shqipërisë i është dashur të përballet me pasojat e sistemit totalitar dhe tranzicionit. Kriza e vitit 1997 si dhe kriza humanitare që erdhi si rezultat i konfliktit në Kosovë lanë gjurmët e tyre dhe ndikuan në rendimin e mjedisit të brendshëm të sigurisë. Këto kërkuan kohën e nevojshme për neutralizim dhe tejkalim.

25. Faktori shqiptar në Ballkan është i një rëndësie të dorës së parë, duke bërë që kontributi dhe roli i Republikës së Shqipërisë të jetë mjaft i rëndësishëm në krijimin e një atmosfere harmonike, të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit reciprok në interes të paqes, prosperitetit dhe integrimit sa më të shpejtë të rajonit tonë në familjen evropiane.

26. Republika e Shqipërisë ka marrë dhe po merr masa të vazhdueshme në funksion të forcimit të mjedisit të sigurisë së brendëshme. Plotësimi i standarteve për integrimin në strukturat europiane e euroatlantike kërkon angazhimin maksimal e në vazhdimësi të strukturave shtetërore në zbatimin e një vargu detyrash të rëndësishme, siç janë:

    * Forcimi i shtetit ligjor dhe i institucioneve demokratike;
    * Ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura, forcimi i kontrollit civil demokratik mbi to;
    * Zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë dhe rritja e standarteve të jetesës;
    * Zgjidhja në afate optimale e problemeve jetike të popullsisë;
    * Bashkëpunimi i ngushtë pozitë-opozitë për çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare;
    * Thellimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare;
    * Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat ndërkombëtare dhe vendet fqinje në luftën kundër trafiqeve të paligjshme;
    * Angazhimi i vazhdueshëm në procesin e kontrollit të armëve dhe çarmatimit.

 

IV. KËRCËNIMET DHE RREZIQET PËR SIGURINË

27. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë zhvillimet gjeopolitike dhe gjeoekonomike kanë nxjerrë në pah kërcënime dhe rreziqe të reja për interesat dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Rreziqet dhe kërcënimet e sotme karakterizohen nga natyra të ndryshme dhe vështirësia e parashikimit. Me gjithë vështirësitë e përcaktimit të një vije të qartë ndarjeje, ato mund të klasifikohen në kërcënime e rreziqe me natyrë të brendshme, transnacionale dhe globale.

28. Kërcënimet dhe rreziqet e brendshme:

    28.1 Krimi i organizuar në vend, duke u perfeksionuar dhe profesionalizuar, është rrezik për shoqërinë dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Shpërpjestimet ndërmjet instrumentave të pamjaftueshme për të zbuluar, luftuar e ndëshkuar krimin dhe përmasave e tendencave që ka zhvillimi i krimit, përbëjnë rrezik real për të sotmen dhe të ardhmen e sigurisë së Republikës së Shqipërisë.

    28.2. Destabiliteti politik është rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Përvoja e deritanishme e demokracisë në Shqipëri provon se destabiliteti politik ka qenë i pranishëm në mjedisin e brendshëm. Ky fenomen rrezikon mosfunksionimin e mirë të institucioneve, mungesën e paqes sociale e të qetësisë publike, mosarritjen e konsensusit politik për çështje shumë të rëndësishme të vendit dhe cënon prestigjin e Shqipërisë në kuadrin ndërkombëtar. Stabiliteti politik është një çështje jetike për shoqërinë shqiptare.

    28.3. Zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe mosplotësimi i nevojave elementare jetike, krijojnë paqëndrueshmëri për sigurinë dhe jetën e njerëzve në Republikën e Shqipërisë. Fenomenet negative që rrjedhin prej tyre si kontrabanda dhe korrupsioni sjellin ngadalësimin e reformave, deformimin e tyre, stimulimin e papunësisë, të trafiqeve dhe krimit të organizuar.

    28.4. Emigracioni i qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të tjera përbën rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin e vendit dhe sigurinë e Republikës se Shqiperisë. Fenomeni i emigrimeve klandestine i qytetarëve shqiptarë drejt vendeve perëndimore paraqet gjithashtu rrezik për të ardhmen e Shqipërisë. Efektet e këtij fenomeni shprehen në humbje jetësh, rrjedhjen e pakontrolluar të inteligjencës shqiptare, plakjen artificiale të popullsisë, mungesën e dëshirës për të punuar dhe forcimin e ndjenjës së largimit nga vendlindja.

    28.5. Fatkeqësitë natyrore përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësitë natyrore më të mundshme janë tërmetet, fatkeqësitë gjatë periudhës së dimrit, si përmbytjet, rrëshqitjet masive, zjarret masive në pyje, epidemitë e ndryshme. Fatkeqësitë mund të vijnë edhe nga veprimtaria njerëzore, siç janë aksidentet industriale, tokësore, ajrore e detare, pasojat që mund të shkaktojnë veprimet kriminale dhe terroriste, etj.

    28.6. Në aspektin e sigurisë, problemet demografike paraqesin një shqetësim serioz në Republikën e Shqipërisë. Lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, kryesisht nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane, kanë krijuar shpërpjestime të konsiderueshme jo vetëm në drejtim të mbipopullimit, por edhe të largimit të njerëzve nga zonat që, për sot dhe për të ardhmen, do të kenë nevojë për burime njerëzore.

    28.7. Dizinformimi i opinionit publik favorizon destabilitetin. Informacionet e pasakta krijojnë në mënyrë të qëllimshme, ose jo, situata pasigurie, frike e tensioni të panevojshëm dhe shpesh mund të çojnë në reagime publike dhe marrje vendimesh të padrejta. Si i tillë, dizinformimi i opinionit publik përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

    28.8. Zhvillimi i pamjaftueshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Burimet njerëzore të specializuara, kapacitetet shkencore dhe prezantimi me vërtetësi i kulturës dhe traditës tonë, janë kusht themeltar për zhvillimin, prosperitetin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.

29. Kërcënimet dhe rreziqet me karakter transnacional përfshijnë në vetvete rreziqet rajonale dhe ato të jashtme.

    29.1. Përdorimi i forcës ushtarake ose formave të tjera që venë në rrezik sovranitetin, pavarësine dhe integritetin e vendit përbëjnë rrezik për Republikën e Shqipërisë.

    29.2. Destabilizimi i rajonit nëpërmjet ringjalljes se dëshirës për realizimin e ndjenjave nacionaliste dhe e zhvillimit të konflikteve etnike përbën rrezik tradicional ndaj sigurisë së Republikës së Shqipërisë.

    29.3. Terrorizmi si mjet ekstrem i dhunës përbën një rrezik real me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Si nje rrezik ndërkombëtar, terrorizmi ka marrë shtrirje të gjerë gjeografike. Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë përbën një element më shumë që vendi të përdoret si bazë logjistike, vepruese e ndërlidhëse për grupet terroriste. Grupet militante dhe ekstremiste, të cilat përdorin dhunën për të realizuar objektivat politike, janë një rrezik serioz për sigurimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimin e shtetit në Republikën e Shqipërisë.

    29.4. Krimi i organizuar përbën rrezik të drejtpërdrejtë me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Perfeksionimi i metodave dhe mjeteve të përdorura prej tij, shtrirja e tij gjeografike rajonale e më gjerë, forcimi i vazhdueshëm ekonomik, përbëjnë një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

    29.5. Trafiqet e paligjshme janë rrezik me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Pozita gjeografike e Shqipërisë, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, papunësia, varfëria, humbja e besimit tek shtresat e popullsisë, niveli i ulët arsimor, përbëjnë parakusht, që rajoni dhe në menyrë të veçantë vendi ynë, të kthehet në burim dhe bazë të favorshme logjistike, vepruese e ndërlidhëse për trafikantët.

30. Rreziqet me karakter global përbëjnë një sfidë reale për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

    30.1. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe e lëndëve radioatkive përbëjnë një rrezik me karakter global që mund të prekë edhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

    30.2. Ndotja e mjedisit dhe sëmundjet me karakter masiv janë një rrezik global me tendencë në rritje për jetën e njerëzve dhe sigurinë e Republikës së Shqiperisë. Shkaqet për ndotjen e mjedisit janë të ndryshme, si: industriale (të shkaktuara nga mbetjet e uzinave e mjeteve të transportit), teknologjike (të shkaktuara nga aksidentet teknologjike); biologjike, kimike (nga shpërndarja e mbetjeve dhe materialeve toksike). Ato shkaktohen gjithashtu nga pakujdesitë e njerëzve, nga tregtimi i ushqimeve të pakontrolluara, etj.

    30.3. Reduktimi i burimeve hidrike janë një rrezik real me karakter global dhe tendencë në rritje. Ndryshimi i klimës dhe kushteve atmosferike, përdorimi jo me efektivitet i tyre, rritja e popullsisë botërore, zhvillimi i mëtejshëm i shoqërisë, evidentojnë pamjaftueshmërinë e burimeve ujore si një rrezik global për sigurinë e shoqërisë.

 

V. INTERESAT KOMBËTARE

31. Përcaktimi i interesave kombëtare është vendimtar për zhvillimin e sigurisë së vendit. Ato i japin pushtetit politik përgjegjësi, legjitimitet dhe besueshmëri për vënien në funksionim të shtetit demokratik sipas normave ndërkombëtare. Si nje sistem unik ndërvartësie mes pushtetit, shoqërisë e qytetarëve, shteti udhëhiqet në thelb nga përcaktimi dhe realizimi i interesave kombëtare.

32. Pushteti politik e ka për detyrë sublime përcaktimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. Ky angazhim duhet të shoqërohet me kërkimin dhe sigurimin e konsensusit të gjerë nëpërmjet debatit publik. Jo çdo interes kombëtar (me përjashtim të interesave të mbijetesës) mund të jetë edhe interes i përbashkët ose në interes të të gjithëve. Në këtë kuptim, unanimiteti për përcaktimin dhe realizimin e interesave kombëtare nuk është domosdoshmëri, por pranimi dhe konsensusi është rregull që duhet zbatuar me konsekuencë në një sistem demokratik.

33. Garantimi i interesat jetike siç janë ushtrimi i sovranitetit, mbrojtja e pavarësisë dhe e integritetit territorial të vendit; mbrojtja e rendit kushtetues; mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e lirive e të drejtave themelore të njeriut, zhvillimi ekonomik, mbrojtja e pasurive dhe e vlerave përbën bazën e sigurisë së Republikës së Shqipërisë.

34. Interesat kombëtare dhe shtrirja kohore e realizimit të tyre janë të lidhura organikisht me sigurinë. Thelbin e realizimit të interesave kombëtare e përbëjnë përgjegjshmëria, legjitimiteti dhe ndershmëria e pushtetit politik për t'i shërbyer kombit e shtetit të vet, pavarësisht nga koha e qëndrimit në pushtet. Kjo e zbut dhe e mënjanon kontradiktën që mund të ekzistojë ndërmjet kohës që ka një qeverisje dhe kohës që i duhet për të realizuar interesat kombëtare.

35. Përcaktimi i interesave të tjera ndihmon në përcaktimin e zgjidhjeve strategjike për sigurinë e vendit në përputhje me rreziqet, nevojat dhe objektivat që duhen arritur. Interesa të tilla janë: programimi i proçeseve të integrimit në BE, NATO dhe struktura e organizma të tjera euroatlantike, nxitja dhe pjesëmarrja në zhvillimin e proçeseve të stabilitetit rajonal, zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe me shtetet fqinje dhe partnerët, zgjidhja e problemeve sociale e të mbrojtjes së mjedisit etj.

 

PJESA E TRETË
ELEMENTET E FUQISË KOMBËTARE


36. Sigurimi i vendit kërkon zbatimin e nje politike shumëdimensionante në funksion të mbrojtjes së interesave kombëtare ndaj rreziqeve të mundshme. Asnjë politikë nuk mund të jetë e suksesshme në përballimin e sfidave të sotme dhe të ardhshme pa koordinimin efikas dhe rritjen e kapaciteteve të të gjitha elementëve të fuqisë kombëtare. Përgatitja dhe zhvillimi i sigurisë së vendit nuk mund të kufizohet vetëm në efektivitetin e një drejtimi të caktuar. Parakusht është përgatitja në të gjitha drejtimet. Kjo përqasje mundëson rritjen e aftësisë për t'iu përgjigjur spektrit të gjërë të krizave të mundshme në kohë dhe me efektivitet.

 

VI. DIPLOMACIA

37. Diplomacia është instrumenti më i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi ndërkombëtar të përshtatshëm për parandalimin e krizave e të konflikteve dhe zgjidhjen e tyre me mjete paqësore. Nëpërmjet saj sigurohet dialogu politik i vazhdueshëm, që synon thellimin e bashkëpunimit me fqinjët, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Politika e integrimit në strukturat euroatlantike, evropiane dhe rajonale përbën objektivin dhe zgjidhjen strategjike themelore për sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Shkalla e suksesit në realizimin e kësaj politike varet nga arritja a e stabilitetit të brendshëm dhe e konsolidimit të institucioneve demokratike të vendit, duke e afirmuar Republikën e Shqipërisë në vazhdimësi si një faktor progresi e kontribuese në proceset e sigurisë rajonale dhe globale.

38. Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi parësore zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Qeveria Shqiptare e konsideron integrimin evropian dhe euroatlantik si një proces shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit. Në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera të rajonit, të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asocimit, Republika e Shqipërisë po punon për arritjen e standardeve evropiane dhe ndjekjen e shembullit të 10 anëtarëve të rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilat nënshkruan Traktatin e Aderimit në Bashkimin Evropian. Vendi ynë mbështet rritjen e rolit të BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjen në zbatim të Politikës Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke shprehur bindjen se ajo është një element komplementar i Aleancës Veri-Atlantike.

39. Integrimi euroatlantik është një ndër shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Republikën së Shqipërisë. Ky fakt është dëshmuar tashmë qartë nga ecuria e marrëdhënieve Shqipëri - NATO gjatë viteve 90 e këtej, nga bashkëpunimi i ngushtë dhe specifik që Shqipëria ka arritur të ketë me Aleancën Atlantike si dhe mbështetja e plotë e pa rezerva që ajo i ka dhënë veprimtarisë politike dhe ushtarake të Aleancës në rajon. Vendi ynë është treguar aktiv në mbështetje të zgjerimit të Aleancës në Evropën Juglindore, duke e konsideruar atë një proces të natyrshëm, që jo vetëm do të forcojë krahun juglindor të NATO-s, por edhe do të ndihmojë në forcimin e demokracisë, paqes, stabilitetit, ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor në këtë zonë.

40. Roli dhe kontributi i SHBA-së në konsolidimin e demokracisë, institucioneve të shtetit ligjor si dhe në luftën kundër krimit dhe forcimin e sigurisë në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten thelbësorë. Në një plan më të gjerë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një ndihmesë të pazëvendësueshme në drejtim të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, e cila kulmon me ndërhyrjen e vendosur të NATO-s dhe zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.

41. Republika e Shqipërisë e konsideron politikën rajonale si një ndër përparësitë e saj bazë. Përmes aplikimit të frymës së dialogut e të mirëkuptimit me të gjithë faktorët rajonalë, politika e saj e jashtme ka synuar promovimin e imazhit të një Shqipërie si faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ndër të tjera, kjo ka gjetur shprehje edhe në mesazhet moderuese dhe konstruktive që ajo ka përcjellë tek bashkëkombasit e saj, fakt ky i vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar.

42. Me politikën e saj të jashtme Republika e Shqipërisë ka synuar shkëputjen nga konteksti i trazuar i viteve ’90 dhe trashëgimia konfliktuale ballkanike, për t'u përqenduar në proceset e rëndësishme të bashkëpunimit kolektiv në nivel rajonal dhe më gjerë. Motoja e saj ka qenë gjenerimi i sinergjive të përbashkëta për integrimin rajonal e euroatlantik, për krijimin e rrjeteve të ndërlidhura ekonomike me synim krijimin e një tregu të integruar rajonal të tregtisë së lirë, të energjisë, infrastrukturës rrugore etj. Të gjitha këto do të ndikojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të sigurisë në rajon.

43. Për diplomacinë shqiptare, është e natyrshme ndjekja me prioritet dhe vëmendje e zhvillimeve në Kosovë, e ecurisë së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me të, si dhe e përfshirjes së saj në proceset integruese evropiane. Në këtë kontekst, qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet kurdoherë respektimi i plotë i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përmbushja e standarteve të përcaktuara nga komuniteti nderkombëtar përpara statusit përfundimtar. Ndërkohë Republika e Shqipërise mbetet e palëkundur në qëndrimin se statusi përfundimtar i Kosovës është çështje që i përket popullsisë së saj dhe bashkësisë ndërkombëtare që e administron atë, sikurse vazhdon të shprehet e bindur se pa zgjidhjen përfundimtare të këtij statusi, nuk mund të ketë stabilitet dhe integrim rajonal.

 
VII. MBROJTJA E RENDIT PUBLIK


44. Ndërtimi dhe funksionimi normal i institucioneve demokratike shtetërore dhe e shtetit ligjor janë rrugët më efektive për arritjen e stabilitetit e të sigurisë së brendshme. E gjithë veprimtaria shtetërore, e shoqërisë dhe e individut duhet të përshkohen nga zbatimi me korrektësi i ligjit. Qytetari, shoqëria dhe shteti përbëjnë një unitet të përhershëm të ekzistencës së Shqipërisë, të cilët duhet të respektojnë detyrimet përkatëse. Realizimi dhe mbrojtja e interesave të tyre, të shprehura në Kushtetutë e ligje, është detyrë e institucioneve demokratike shtetërore. Të gjitha këto përbëjnë strukturën e sigurisë së Republikës së Shqipërisë, ndërsa Kushtetuta është elementi thelbësor i kësaj strukture.

45. Konsolidimi i demokracisë dhe i stabilitetit të brendshëm paralelisht me rritjen e aftësisë ekzekutive të organeve juridike për të goditur krimin në të gjitha natyrat e shfaqjes së tij. Kjo kërkon programimin dhe unifikimin e strategjive përkatëse dhe një bashkëveprim efikas në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

46. Ndërtimi dhe funksionimi i organizmave ndërministrore për të luftuar krimin, drogën, kontrabandën, korrupsionin e trafiqet e ndryshme, rritja e efektivitetit të strukturave të policisë për parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e rendit publik, si dhe rritja e bashkëpunimit me administratën publike dhe shoqërinë përbëjnë drejtimet kryesore të një strukture efektive të Policisë në realizimin e misionit të saj.

47. Lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja e rendit publik janë detyrat kryesore të Policisë së Shtetit. Forcat e Policisë janë hallka kryesore e shtetit për sigurimin e stabilitetit të brendshëm. Ato janë të parat që përballen me rreziqet e brendshme. Natyrat komplekse të kriminalitetit në vend kërkojnë jo vetëm angazhimin maksimal, por edhe rritjen e efektivitetit të strukturave të ngritura, profesionalizëm dhe modernizim të pajisjeve të tyre.

48. Sigurimi dhe shkëmbimi i informacionit të nevojshëm për parandalimin e krimit e të krizave te brendshme. Ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë e ekzistencës së grupeve kriminale dhe të trazirave publike. Bazë për zbulimin dhe parandalimin në kohë të tyre është funksionimi i një sistemi modern i Shërbimit Informativ Shtetëror.

49. Roli aktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftë kundër krimit të organizuar. Bashkëpunimi me fqinjët në shkëmbimin e informacioneve, në programet e menaxhimit të përbashkët të kufijve, në programet e trajnimit, si dhe instalimi i teknologjive moderne për një komunikim të shpejtë me partnerët e institucionet ndërkombëtare, do të mundësojë rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit dhe rritjen e sigurisë së brendshme. Marrja e këtyre masave nuk do të lejojë që Republika e Shqiperisë të kthehet në pikë hyrjeje për emigrantët ilegalë dhe në terren për zhvillimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të çdo lloji.

50. Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të qytetarëve si dhe e pronës janë garanci për funksionimin normal të shtetit ligjor. Ndërtimi i shoqërisë civile demokratike ka në themel respektin për njeriun e pronën. Zhvillimi i institucioneve shtetërore demokratike, Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe parandalimi i dhunës e i veprimeve të tjera, që përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut, do të jenë objekt kryesor i përpjekjeve tona në mbrojtje të Kushtetutës.


VIII. POLITIKA EKONOMIKO-FINANCIARE

51. Zhvillimi i politikave efikase ekonomiko-financiare për vënien në jetë të strategjisë zhvillimit ekonomik e social të vendit garanton sigurinë dhe stabiliteti plotësimin e interesave të qytetarëve. Prioritet mbetet zhvillimi i procesit tëintegrimit rajonal e evropian, si dhe thellimi i reformave strukturore ekonomike.

52. Në këtë drejtim objektivat kryesore janë:

    52.1. Konsolidimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik të vendit dhe krijimi i kushteve lehtësuese ligjore për thithjen e investimeve të huaja;

    52.2. Lidhja e marrëveshjeve dhe zbatimi i projekteve strategjike të përbashkëta partneriteti;

    52.3. Përmirësimi cilësor i klimës së biznesit për rritjen e investimeve me sipërmarrje private në infrastrukturë dhe teknologji, duke u mbështetur më fuqimisht nga sektori bankar e financiar, për të rritur nivelin e punësimit dhe për të përmirësuar bilancin tregtar e financiar të vendit;

    52.4. Konsolidimi i të drejtave pronësore, vazhdimi i proçesit të privatizimit në sektorët strategjike të ekonomisë;

    52.5. Nxitja e zhvillimeve më dinamike të degëve me rezultate ekonomike më të larta dhe më të shpejta, duke synuar, krahas të tjerave, zbutjen e pabarazisë ekonomike të zonave rurale brenda vendit dhe reduktimin e varfërisë;

    52.6. Forcimi i shtetit ligjor në funksion të përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor. Kjo ndikon në uljen e evazionit fiskal dhe në menaxhimin e drejtë të shpenzimeve publike, në kufizimin e shkallës së korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

    52.7. Realizimi i Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Shqipërisë kërkon shpërndarjen optimale të burimeve ekonomiko-financiare duke i dhënë prioritet stabilitetit të brendshëm, si dhe krijimit të rezervave të nevojshme në mbështetje të politikave shtetërore për përmbushjen e misionit kushtetues në fushën e sigurisë kombëtare.


IX. MBROJTJA CIVILE

53. Çështjet e mbrojtjes civile kërkojnë një vlerësim sa më real, bazuar në rreziqet që kërcënojnë popullsinë, pronën, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Tashmë Shqipëria ka një strukturë të plotë instsitucionale dhe ligjore për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me emergjencat civile, të cilat mund të shkaktohen nga faktorë natyrorë dhe dora e njeriut. Ngritja e kapaciteteve reaguese, operacionale në nivele të ndryshme është domosdoshmëri. Ballafaqimi i vendit në vitet e fondit me disa fenomene si, përmbytjet masive, fatkeqësitë dimërore, rrëshqitjet e tokës, zjarret masive etj., parashtrojnë nevojën e rritjes së përgjegjësisë për një organizim më të plotë dhe funksionim më të mirë; të këtyre strukturave të ngritura në pushtetin qëndror dhe vendor, për të bërë të mundur parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin e dëmtimeve që mund të prekin popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Bashkërendimi i veprimtarisë së këtyre strukturave me organizmat joqeveritare dhe bashkëveprimi në kuadrin ndërkombëtar, do të mundësojnë një nivel më të lartë dhe më cilësor organizativ përgatitje dhe efektshmëri në realizimin e detyrave. Vlerësimi i rreziqeve për pesë fatkeqësitë kryesore që mund të godasin vendin tonë: tërmeti, përmbytja, rrëshqitja, zjarret në pyje dhe epidemitë e mundshme, do të shërbejë si bazë për hartimin e Planit Kombëtar për përballimin e emergjencave civile në Shqipëri. Hartimi i këtij Plani është në proces.

X. MBROJTJA E MJEDISIT DHE E SHËNDETIT

54. Mbrojtja e mjedisit, shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve mjedisore, si dhe mbrojtja e shëndetit publik mbeten përparësi strategjike e sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Vështirësitë që hasen në drejtimet e mësipërme mund të pengojnë projektet për zhvillim dhe mund të përbëjnë rrezik dhe pasiguri për jetën.

55. Synimi kryesor për mjedisin është dhe do të jetë parandalimi i fenomeneve negative dhe krijimi i premisave për futjen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Reduktimi i ndotjes së mjedisit nga burimet ekzistuese, si dhe parandalimi i sëmundjeve epidemike dhe masive në fushën e shëndetësisë do të mundësojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

56. Nëpërmjet financimeve të posaçme, sensibilizimit të opinionit publik dhe zgjerimit të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të arrihen standartet e kërkuara për rritje të aftësive të brendshme në këto fusha.

XI. MARRËDHËNIET ME OPINIONIN PUBLIK

57. Transparenca në informimin e publikut dhe sigurimi i konsensusit për zgjidhjet strategjike dhe shtimin e burimeve për sigurinë kombëtare shihen si vendimtare për suksesin e strategjisë së sigurisë. Institucionet shtetërore përkatëse do të synojnë proçedura të bazuara në ligj për dhënien e informacionit dhe nuk do të lejojnë që infomacioni të përdoret për qëllime mashtrimi të ndërgjegjes së opinionit publik.

58. Çështjet e përparësisë së zgjidhjeve strategjike dhe të shtimit të burimeve të sigurisë do t'i nënshtrohen debatit dhe marrjes së pëlqimit të opinionit publik. Taksapaguesve shqiptarë do t'u sigurohet marrja e informacionit të duhur për përdorimin e burimeve nga ana e strukturave shtetërore përkatëse. Kjo përqasje do të ndihmojë në krijimin e besimit dhe të kuptuarit më mirë të përparësive strategjike që duhen ndjekur për të realizuar objektivat dhe interesat kombëtare. Sistemi i sigurisë së vendit do t'i bindë dhe do të jetë i besueshëm për qytetarët për qëllimet dhe efektvitetin e tij.

 

XII. POLITIKA E MBROJTJES

59. Objektivi strategjik i politikës së jashtme të RSHsë është integrimi në strukturat Europiane dhe Euroatlantike të Sigurisë, objektiv i cili tashmë ka jo vetëm mbështetjen e plotë të publikut shqiptar, por edhe atë të të gjithë spektrit politik në vendin tonë. Në këtë kuadër, Shqipëria e konsideron integrimin e saj në NATO jo vetëm si një faktor të sigurisë, por edhe si një investim të rëndësishëm afatgjatë drejt integrimit Euroatlantik të vendit.

60. Politika e Mbrojtjes është pjesë e rëndësishme aktive e sistemit të Sigurisë Kombëtare, e cila merr në konsideratë mjedisin strategjik, avantazhet dhe sfidat, rreziqet e kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare. Ajo përpunon koncepte dhe përcakton objektiva për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

61. Objektivat themelore të Politikës së Mbrojtjes janë sigurimi i kapaciteteve mbrojtëse për të:

    * siguruar ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e popullsisë në kohë paqeje, krize dhe lufte, si dhe mbrojtjen e interesave kombëtare;
    * mbështetur objektivat e politikës së jashtme të Qeverisë, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike dhe promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

62. Reformat në fushën e mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë synojnë krijimin e një force të armatosur më të vogël në numër, por më operacionale dhe profesioniste, e aftë për të përmbushur misionet e saj kushtetuese dhe të jetë e ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të aleancës.

63. Rolet dhe misionet e Forcave të Armatosura përcaktohen në përshtatje me zhvillimet e mjedisit strategjik të sigurisë, objektivit strategjik të integrimit në NATO, dhe rritjes së pjesëmarrjes e kontributit të tyre në operacionet ndërkombëtare të mbështetjes së paqes.

64. Forcat e Armatosura në përmbushjen e misioneve dhe detyrave të tyre respektojnë Kushtetutën e RSH-së, konventat dhe traktatet ndërkombëtare, si dhe ligjet që burojnë prej tyre.

65. Prania e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së në rajon krijon premisa pozitive për zhvillimin e reformave transformuese në sistemin e sigurisë së vendit, duke përfshirë dhe zhvillimin me sukses të reformave në fushën e mbrojtjes për riorganizimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

66. Republika e Shqipërise kërkon që Forcat e Armatosura të jenë të afta për një sulm ushtarak kundër territorit, infrastrukturës ose institucioneve të saj; frenimi i armikut do të dështojë, forcat e armatosura duhet të jenë të afta t’i kundërpërgjigjen rrezikut deri në zgjidhjen e krizës, me ndërhyrjen edhe të komunitetit ndërkombëtar.

67. Përballimi i rreziqeve asimetrike të terrorizimit, krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të brendshme do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet Forcave të Armatosura, Forcave të Ruajtjes së Rendit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

68. Forcat e Armatosura duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme në përputhje me ligjin, që kur të kërkohen, të mbështesin autoritetet civile në rast emergjence, që mund të vijnë nga katastrofat natyrore, si termetet ose përmbytjet ose nga fatkeqësitë e shkaktuara nga dora e njeriut.

69. Politika e Mbrojtjes e RSH-së nxit pjesëmarrjen aktive të vendit tonë në institucionet dhe iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare. Nëpërmjet Këshillit të Partneritetit EuroAtlantik dhe programeve për partneritetin për paqe dhe zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet anëtare të NATO-s e ato partnere, Shqipëria kërkon të ndërtojë marrëdhënie më të forta me Aleancën. Zgjerimi dhe intensifikimi i aktiviteteve të diplomacisë ushtarake dhe të armëkontrollit përbëjnë instrumentat kryesore për realizimin e synimeve të mësipërme.

70. Synimi i të vepruarit në mënyrë efektive në kohë paqeje, krize e lufte dhe përdorimi i instrumentit ushtarak në mënyrë të nevojshme e të ligjshme kërkon një metodë të unifikuar, të integruar e sinergjike në fushën doktrinore, planifikimit, komandimit e manaxhimit te Forcave të Armatosura. Theks i veçantë duhet vënë në sistemin e komandimit, drejtimit, komunikimit, kompiuterizimit dhe zbulimit. Gjithashtu kërkohet t'i kushtohet.më shumë vëmendje lëvizshmërisë së trupave dhe përdorimit efektiv të tyre, mbështetjes logjistike dhe mbrojtjes së forcave.

71. Zhvillimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura do të vazhdojë të realizohet në bazë të planit afatgjatë 2002-2010. Buxheti i mbrojtjes do të sigurojë mbështetjen financiare për realizimin e objektivave të caktuara në Strategjinë Ushtarake.

72. Përmbushja e detyrimeve të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), realizimi i Programit Individual të Partneritetit (IPP), kryerja e Proçesit të Planifikimit dhe Rishikimit të Forcës (PARP), plotësimi i Objektivave të Partneritetit (PG), pjesëmarrja aktive në stërvitjet e përbashkëta dhe në Operacionet e Mbështetjes së Paqes, janë urat që shkurtojnë rrugën drejt integrimit të vendit tonë në strukturat e NATO-s.

73. Politika e Mbrojtjes realizon integrimin e faktorëve politikë dhe ushtarakë për arritjen e objektiva të mëposhtme:

    73.1. Në fushën politike

        73.1.a Hartimin e Strategjise Ushtarake, politikave dhe programeve për mbrojten, në përputhje me kërkesat aktuale dhe perspektive të sigurisë së vendit;

        73.1.b Ndihma në uljen e armiqësive e tensioneve dhe ndërtimin e mirëbesimit dhe mirëkuptimit, nëpërmjet diplomacisë ushtarake;

        73.1.c Sigurimin e drejtimit strategjik të qartë dhe në kohën e duhur për pjesëmarrjen e forcave ushtarake të R5H-së në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe zhvillimin e operacioneve;

        73.1.ç Alokimin e burimeve në dispozicion të mbrojtjes, në mënyrë të atillë që, të rrisë në maksimum kapacitetet ushtarake dhe të ardhurat e vetë Ministrisë;

        73.1.d Inkurajimin e forcës konkuruese të furnizuesve për sektorin e mbrojtjes.

    73.2. Në fushën ushtarake

        73.2.a Bashkimin në një forcë të përbashkët moderne te komponentëve ushtarakë tokësorë, detarë dhe ajrorë, nën komandën e unifikuar të Shtabit të Përgjithshëm, plotësisht të aftë për arritjen e objektivave strategjikë kombëtare;

        73.2.b Zhvillimin e mbajtjen e personelit te nevojshëm të motivuar, kompletimin, stërvitjen dhe pajisjen e tij, në përputhje e në zbatim të kërkesave të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë, për të arritur nivelin e kërkuar të gadishmërisë luftarake, me qëllim realizimin e misioneve e detyrave të caktuara.

 

PJESA E KATËRT
UDHËHEQJA E STRATEGJISË SË SIGURISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


XIII. BAZAT KUSHTETUESE TË UDHËHEQJES

74. Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi, Presidenti dhe Këshilli i Ministrave kanë përgjegjësitë dhe të drejtat e tyre, në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.

75. Kuvendi i Republikës se Shqipërise është organi i vetëm që miraton ligje në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Kuvendi ka kompetenca kushtetuese për shpalljen e gjendjes së luftës, të gjendjes së jashtëzakonshme, mobilizimit të pjesshëm e të përgjithshëm, për ratifikimin e marrëveshjeve dhe shqyrtimin, menaxhimin e miratimin e buxhetit e të politikave shtetërore.

76. Funksioni i kontrollit demokratik parlamentar ushtrohet nëpërmjet formave ligjore, drejtpërdrejt nga Kuvendi dhe Komisionet përkatëse. Në këtë kuadër, veprimtaria e tij ndaj organeve ekzekutive përqendrohet në zbatimin e ligjeve, të buxhetit, të politikave të ndjekura për shmangjen dhe minimizimin e rreziqeve për sigurinë, si dhe në realizimin e programeve të zhvillimit të instrumentave të sigurisë.

77. Presidenti i Republikës, me cilësitë kushtetuese të Kryetarit të Shtetit, të përfaqësimit të unitetit të popullit, të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar është funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve dhe objektivave të sigurisë së vendit dhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave kombëtare.

78. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillues i Presidentit. Ky Këshill ushtron veprimtarinë në bazë të Kushtetutës, të ligjeve e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi.

79. Këshilli i Sigurimit Kombëtar këshillon Presidentin e Republikës për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimet, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale në dobi të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit.

80. Këshilli i Sigurimit Kombëtar përbëhet nga kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes. Ministri i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit, Ministri i Financave, Ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror.

81. Këshilli i Ministrave është organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai përgjigjet për zbatimin e Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Shqipërisë dhe gjendjen e zhvillimet e instrumentave të sigurisë dhe të burimeve kombëtare. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të Politikës së Sigurisë, i parashtron ato në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe drejton veprimtarinë e organeve dhe institucioneve në vartësi, në perputhje me Kushtetutën dhe Ligjet.

82. Kryeministri është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të Politikës së Sigurisë dhe siguron koordinimin dhe zbatimin e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Kryeministri është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare. Kryeministri krijon dhe drejton Komitetin e Politikave te Sigurimit Kombëtar.

83. Kryeministri inicion rishikimin e Strategjisë së Sigurisë. Strategjia e sigurisë e Republikës së Shqipërisë rishikohet në një periudhë jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e miratimit të saj.