ShqipEnglish
PËR NJOHJEN, KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS PDF Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
PROJEKTLIGJ
Nr._____ datë _____2003
PËR NJOHJEN, KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS

Në mbështetje të nenit 41, 78, 83, pika 1, dhe 181 të Kushtetutës, me propozimin e ___________________,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

 

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt:
a) rregullimin e drejtë, sipas kritereve të nenit 41 të Kushtetutës, të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet;
b) njohjen, kthimin, dhe aty ku sipas këtij ligji kthimi i pronës është i pamundur, kompensimin e saj;
c) procedurat për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe organet administrative të ngarkuara për realizimin e tyre.

Neni 2
E drejta e pronësisë

1. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë, në përputhje me këtë ligj, njohjen e së drejtës së pronësisë në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944 si dhe kthimin ose kompensimin e pronës.
2. Shpronësimet apo kufizimet e barazvlefshme me të, të kryera nga shteti për zbatimin e ligjeve të parashikuara ne Shtojcën 1 të këtij ligji, konsiderohen shpronësime për interes publik dhe ky ligj u njeh dhe realizon për subjektet e shpronësuara shpërblimin e drejtë.

Neni 3
Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Kompensim" - nënkupton shpërblimin e drejtë, sipas vlerës së tregut të pronës në momentin e njohjes së shpërblimit, të kryer në të holla ose sende të tjera të njohura për subjektin e shpronësuar si kthim i pronës së shpronësuar, shtetëzuar, konfiskuar ose të marrë padrejtësisht prej shtetit në çdo mënyrë tjetër.
2. "Pronë" - nënkupton një send të paluajtshëm sipas përcaktimit në Kodin Civil.
3. "Subjekt i shpronësuar" - nënkupton personat juridikë ose fizikë, apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar ose konfiskuar, sipas akteve ligjore, nënligjore, ose vendimeve gjyqësore penale sipas nenit 2 të këtij ligji.
4. "Tjetërsim" - nënkupton kalimin e pronësisë ose kalimin e të drejtave të tjera reale nga një person fizik ose juridik tek një tjetër.
5. "Truall" - nënkupton tokën që ndodhet brenda vijave kufizuese të qëndrave të banuara në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 4
Përjashtimet nga ky ligj

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për:
a) pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të Ligjit nr. 108, datë 29.08.1945 "Për Reformën Agrare", me ndryshimet e mëvonshme;
b) shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe që përdoren për interesa publike;
c) pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare ose publikime përkatëse;
d) pronat e shtetëzuara apo konfiskuara për zbatimin e Ligjit nr. 37, datë 13.01.1945 "Për tatimin e jashtëzakonshëm".

Neni 5
Prona e luajtshme

Varianti 1:
Njohja, kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme kryhet me ligj të veçantë.

Varianti 2:
1. Subjekteve të shpronësuara, të cilët me akte shkresore, fatura, vendime gjyqësore, dokumente konfiskimi nga shteti, etj. vërtetojnë që shteti u ka marrë padrejtësisht sende të luajtshme, u njihet e drejta e pronësisë mbi këto sende.
2. Në rast se sendet e mësipërme, duke përfshirë edhe sendet me vlerë, shteti ua ka kaluar personave të tretë ose i ka ruajtur në llogari të vet në bankë etj, ato i kthehen subjektit të shpronësuar, kurse personi i tretë kompensohet nga shteti. Për sendet që nuk ekzistojnë më, si dhe për fondin e kafshëve të shtetëzuara, subjekti i shpronësuar kompensohet. Për të hollat dhe monedhat me metal të çmuar, subjekti i shpronësuar kompensohet sipas praktikave bankare.
* (Nëse aprovohet varianti 2, atëherë duhet të rishikohet përkufizimi i termit ` pronë " në nenin 3).

 

KREU II
NJOHJA E SË DREJTËS SË PRONËSISË DHE KTHIMI I PRONËS

Neni 6
Njohja e së drejtës së pronësisë dhe kthimi i pronës

Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe.

Neni 7
Pronat që nuk kthehen

1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme që:
a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar që rrjedhin nga traktatet dhe konventat në të cilat shteti ynë është palë;
b) kanë mbi to projekte ose investime me shtrirje territoriale ose vendore në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjitikës, të telekomunikacionit, të veprave ujore të çdo lloji ose në investime të tjera në interes publik;
c) shërbejnë për ruajtjen e mjedisit, shëndetit, kulturës, arsimit publik ose edukimit parashkollor;
d) shërbejnë në fushën e mbrojtjes kombëtare;
e) janë pasuri e veçantë kulturore ose historike, e përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi;
f ) Varianti I - janë të ndara sipas akteve ligjore paraqitur në Shtojcën 1 të këtij ligji.
Varianti II - të hiqet fare; për pasojë të hiqet edhe pika 2 e nenit 2.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

Neni 8
Trualli

1. Në rastin kur trualli u është tjetërsuar personave të tretë dhe mbi të nuk janë ngritur ndërtesa të përhershme dhe të ligjshme, ai u kthehet subjekteve të shpronësuara, ndërsa shteti u kthen të tretëve masën e shpërblimit sipas vlerës së tregut.
2. Kur mbi truallin e subjektit të shpronësuar, shteti a persona të tretë, kanë kryer investime të konsiderueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ato llogariten sipas vlerës së tregut në çastin kur i njihet e drejta e pronësisë subjektit të shpronësuar, dhe veprohet si më poshtë:
a) Kur vlera e investimeve përbën deri 100% të vlerës së truallit, prona i kthehet subjekteve të shpronësuara, pasi ato të kenë paguar kundërvlerën e investimeve të kryera;
b) Kur vlera e investimeve përbën më shumë se 100% të vlerës së truallit, shteti apo personat e tretë ruajnë pronësinë dhe subjektet e shpronësuara kompensohen sipas këtij ligji.

Neni 9
Banesat

1. Në rast se në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, ka qiramarrës, ata vazhdojnë të banojnë në atë banesë deri sa shteti t'ju gjejë banim sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni.
2. Brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, shteti duhet t'u sigurojë qiramarrësve që banojnë në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara një banesë me sipërfaqe të njëjtë me atë që jetojnë ose t'u sigurojë kredi me interesa të ulëta. Për këtë periudhë dy vjeçare vlera e qirasë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Me kalimin e periudhës dy vjeçare, shteti paguan vlerën e qirasë në emër të qiramarrësve tek subjektet e shpronësuara sipas çmimit të tregut.
3. Në qoftë se gjatë kësaj kohe pronari i siguron qiramarrësit banesë tjetër brenda të njëjtës qendër të banuar, me sipërfaqe banimi aq sa i takon sipas normave të strehimit në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më tepër se sa ka, atëherë qiramarrësi është i detyruar të lirojë banesën. Me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, shteti paguan vlerën e qirasë për qiramarrësit në rast se nuk u ka siguruar banesë.

Neni 10
Prona që nuk është përdorur për interesa publike

Kur një shpronësim është bërë për një interes publik dhe prona e paluajtshme nuk përdoret për këtë qëllim, ajo i kthehet subjektit të shpronësuar, kurse subjekti i shpronësuar i kthen shtetit shpërblimin e marrë.

 

KREU III
KOMPENSIMI I PRONËS

Neni 11
Format e kompensimit

1. Për pronat e përcaktuara në nenin 7 të këtij ligji, shteti kompenson subjektet e shpronësuara:
a) me tjetër pronë të paluajtshme të të njëjtit lloj në pronësi të shtetit;
b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit;
c) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme;
d) me vlerën e objekteve të cilat jane objekt i privatizimit;
e) me lehtësim të detyrimeve fiskale siç përcaktohet në ligjet financiare; f) me të holla.
2. Subjekti i shpronësuar paraqet me shkrim Komisionit Vendor për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave formën në të cilën kërkon të realizohet kompensimi. Komisioni, brenda 30 ditësh nga marrja e kërkesës, me vendim të arsyetuar vendos për pranimin e kërkesës ose refuzimin e saj dhe i ofron subjektit të shpronësuar një formë tjetër kompensimi sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1 të këtij neni. Kundër vendimit të Komisionit për përcaktimin e formës së kompensimit subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankesë në gjykatë brenda 30 ditësh nga njoftimi i vendimit.

Neni 12
Vendndodhja e kompensimit fizik

Kompensimi fizik, sipas nenit 11 të këtij ligji, bëhet brenda të së njëjtës njësi administrativo-territoriale (fshatit, komunës, bashkisë, rrethit, qarkut) ose në njësinë më të afërt administrativo-territoriale.

Neni 13
Vlerësimi i pronës

1. Për vlerësimin e pronës që kompensohet Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Paluajtshme ngre grupin e ekspertëve të pavarur. Aty ku është e pamundur ngritja e grupit të ekspertëve, Komisioni mund të caktojë në rolin e ekspertit persona të tjerë me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
2. Grupi i Ekpertëve, në vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet, merr parasysh vlerën fillestare të saj, amortizimin, destinacionin, vendndodhjen e objektit si dhe indekset e ndryshimeve të çmimit të tregut dhe të monedhës.
3. Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative.

Neni 14
E drejta e parablerjes

1. Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen.
2. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit sipas nenit 11.

 

KREU IV
ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Neni 15
Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Komiteti Shtetëror përbëhet nga 5 anëtarë të cilët emërohen nga Kuvendi. Një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikes, dy anëtarë propozohen nga pozita dhe dy anëtarë nga opozita parlamentare. Anëtari i propozuar nga Presidenti është Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.
2. Anëtari i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave mund të emërohet shtetasi shqiptar i cili:
a) ka mbaruar arsimin e lartë për jurist, ekonomist, apo në fushën inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave;
b) ka jo më pak se 10 vjet përvojë pune në profesion;
c) gëzon reputacion të mirë dhe aftësi profesionale të spikatura në fushën e tij;
d) nuk është anëtar i organeve drejtuese të ndonjë partie politike;
e) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
f) nuk është ndëshkuar me masën disiplinore të shkarkimit nga detyra nëse ka punuar në administratën publike;
g) ka zotësi të plotë për të vepruar.
3. Anëtarësia në Komitetin Shtetëror është e papajtueshme me çdo veprimtari tjetër shtetërore ose politike.
4. Paga e anëtarit të Komitetit Shtetëror është e barabartë me pagën e zëvendësministrit ndërsa ajo e Kryetarit të tij 10 % më e lartë se paga e anëtarit.

Neni 16
Kompetencat e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

1. Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka këto kompetenca:
a) shqyrton dhe merr vendime për ankesat ndaj vendimeve të Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në lidhje me anën proceduriale të zbatimit të ligjit ose në dhënien e vendimit, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 19 të këtij ligji;
b) merr vendimë për njëhsimin e praktikave në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në bazë dhe për zbatim të ligjit;
c) emëron dhe shkarkon nga detyra kryetarin dhe anëtarët e Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
d) drejton dhe kontrollon zbatimin e këtij ligji nga Komisionet Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
e) miraton projektbuxhetin, strukturën organizative, organikën dhe tabelën e pagave për administratën e Komitetit Shtetëror, të Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe administratën e tyre;
f) mbledh dhe përpunon të dhëna për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe raporton në Kuvend të paktën një herë në vit ose sa herë kërkohet nga Kuvendi apo komisionet e përhershme të tij që mbulojnë fushen e ligjeve, ekonomisë ose bujqësisë;
g) miraton Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e tij si dhe të Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
h) përcakton, në bashkëpunim me Ministrin e Financave, tarifat e shërbimeve që do të paguajë subjekti i shpronësuar në procesin e kthimit e të kompensimit të pronave;
i) përcakton mënyrën e bashkëpunimit të Komisioneve Vendore kur prona që njihet, kthehet ose kompensohet shtrihet në dy apo më shumë juridiksione të Komisioneve Vendore;
j) Përcakton mënyrën e zëvendësimit të ekspertëve ose anëtarëve të komisioneve vendore kur ata janë në kushtet e pengesës ligjore për kryerjen e veprimtarisë.
2. Në kuptim të këtij neni me anë proceduriale kuptohet:
a) kur Komisioni Vendor për Kthimin dhe Kompensimin e Pronavë ka shkelur dispozitat që rregullojnë juridiksionin dhe kompetencat e tij;
b) vendimi është dhënë mbi bazën e dokumentacionit dhe verifikimeve të paplota;
c) kur nuk është kërkuar dokumentacioni i nevojshëm mbi bazën e të cilit duhet të kryhej njohja, kthimi ose kompensimi i pronës.

Neni 17
Komisionet Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

1. Komisionet Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave krijohen dhe ushtrojnë veprimtarinë aty ku funksionojnë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kompetencat tokësore për secilin komision shtrihen në të gjithë territorin e mbuluar nga Zyrat përkatëse të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
2. Komisionet Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave të Paluajtshme përbëhen nga 5 anëtarë të cilët propozohen nga Prefekti dhe emërohen në detyrë nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
3. Anëtar i Komisioneve Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave mund të emërohet shtetasi shqiptar i cili:
a) ka mbaruar shkollën e lartë për jurist, ekonomist, agronom pedolog ose në fushat inxhinierike që kanë lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave;
b) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
c) ka jo më pak se 7 vjet përvojë pune në profesion;
d) nuk është ndëshkuar me masën disiplinore të shkarkimit nga puna nëse ka punuar në administratën publike;
e) ka zotësi të plotë për të vepruar.
4. Anëtarësia në Komisionin Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është e papajtueshme me çdo veprimtari tjetër shtetërore ose politike.

Neni 18
Kompetencat e Komisioneve Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

1. Komisionet Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave kanë këto kompetenca:
a) kontrollojnë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqesin subjektet e shpronësuara dhe e ballafaqojnë atë me aktet ligjore, nënligjore ose vendimet penale sipas nenit 2 të këtij ligji, që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë nga shteti të pronës;
b) verifikojnë dhe llogarisin detyrimet financiare që lindin për shtetin, subjektin e shpronësuar ose të tretët sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
c) caktojnë ekspertë të cilët ndihmojnë komisionin për anën teknike në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave;
d) u konfirmojnë të drejtën e pronësisë subjekteve të shpronësuara duke lëshuar dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit sipas modelit të përcaktuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
e) urdhërojnë institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike të paraqesin dokumenta ose të dhëna të cilat ato i konsiderojnë të nevojshme;
f) në përputhje me ligjin dhe në bazë të dokumentacionit, përcaktojnë rastet kur nuk përfitohet nga zbatimi i këtij ligji.
2. Vendimet e Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit te Pronave duhet të jenë në formë të shkruar, të marra në mbledhjet e tij, të arsyetuara dhe të përmbajnë kërkesat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
3. Në përcaktimin e kthimit ose kompensimit të pronës, Komisionet Vendore bazohen në vërtetimin me shkrim të Zyrës së Regjistimit të Pasurive të Paluajtshme për gjendjen juridike të pronës së paluajtshme që do të kthehet apo pronës së paluajtshme ku do të kompensohet subjekti i shpronësuar. Kërkesa Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i drejtohet nga Kryetari i Komisionet Vendor, me shkrim, dhe përpara marrjes së vendimit nga Komisioni. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të kthejë përgjigje me shkrim brenda 5 ditëve pune nga marrja e kërkesës, dhe përgjigja e saj depozitohet në dosjen përkatëse.
4. Në përfundim të afatit ankimor sipas këtij ligji, Komisionet duhet të dërgojnë një kopje origjinale të vendimit të tyre për njohjen, kthimin ose kompensimin e pronës së paluajtshme në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Neni 19
Afatet kohore

1. Subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Komisionet Vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, njohin të drejtën e pronësisë, kthejnë ose kompensojnë pronat e paluajtshme brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rastet kur brenda këtij afati Komisionet Vendore e kanë të pamundur të vendosin, me vendim të arsyetuar, mund të shtyjnë afatin në dhënien e vendimit, por jo më shumë se 1 muaj.
3. Në rastet kur Komisionet Vendore nuk marrin vendim brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, për çështjen vendos Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda 30 ditësh nga mbarimi i afatit të pikës 2 të këtij neni.

Neni 20
E drejta e ankimit

1. Kundër vendimit të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për anën proceduriale të përcaktuar në nenin 16, subjekti i shpronësuar mund të bëjë ankim në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në afatet dhe mënyrën e përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative.
2. Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave duhet të marrë vendim për ankesat brenda 30 ditësh nga çasti i depozitimit të tyre, duke lënë në fuqi ose kthyer rastin për rishqyrtim në Komisionin Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
3. Për çështje të tjera, të cilat nuk përfshihen në anën proceduriale sipas nenit 16, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankim ndaj vendimit të Komisionit Vendor në gjykatë brenda 30 ditësh nga marrja e tij. Në rast se gjykata vendos se ankesa ka të bëjë me anën proceduriale sipas nenit 16, ajo ia përcjell ankesën Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, afati i të cilit fillon nga data e marrjes së kësaj ankese nga gjykata.

 

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 21
Ngritja dhe funksionimi i komisioneve

1. Subjektet e përcaktuara në nenin 15, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i propozojnë Kuvendit kandidatët për anëtarë të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kuvendi emëron anëtarët e Komitetit Shtetëror brenda 30 ditësh nga paraqitja e të gjithë kandidaturave.
2. Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda 30 ditësh nga data e emërimit së tij, emëron anëtarët e Komisioneve Vendore. Brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Këshilli i Ministrave merr masa dhe siguron buxhetin dhe ambjentet e punës për Komitetin Shtetëror dhe Komisionet Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
3. Subjektet e shpronësuara paraqesin kërkesat e tyre për njohjen, kthimin ose kompensimin e pronave duke filluar nga data - / - / 2004.

Neni 22
Vendimet e mëparshme

1. Në rast se në dosjet e depozituara në komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, të ngritura sipas Ligjit nr. 7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", ekziston dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e pronësisë për pronën që do të përfitohet sipas këtij ligji, subjekti i shpronësuar paraqet vetëm kërkesën me shkrim për njohjen, kthimin ose kompensimin e pjesës së mbetur të pronës së paluajtshme. Vendimet e dhëna në bazë të Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve" që nuk janë realizuar, konsiderohen të vlefshme për njohjen e së drejtës së pronësisë, dhe komisioni përcakton nëse është i mundur kthimi i pronës së paluajtshme apo kompensimi i saj.
2. Procesi i kthimit dhe kompensimit te pronave rifillon në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj.

Neni 23
Fondi i kompensimit

1. Duke filluar nga viti 2004, dhe për një periudhë 10 vjeçare rresht, Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton një zë të vecantë në buxhetin e shtetit si Fond Kompensimi i cili administrohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin me të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.
2. Bazuar në vendimet e Komisioneve Vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Komiteti Shtetëror kryen kompensimin në të holla nga ky Fond.

Neni 24
Afati i përfundimit të procesit

Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2006, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji.

Neni 25
Ruajtja e dokumentacionit

Dokumentacioni i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave ruhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Me përfundimin e procesit sipas nenit 24, ky dokumentacion i dorëzohet Arkivit Qëndror të Shtetit.

Neni 26
Kontrolli

Kontrolli ekonomik dhe financiar i veprimtarisë së Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe i Komisioneve Vendore kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të paktën një herë në tetë muaj. Përfundimet e kontrolleve bëhen kurdoherë publike.

Neni 27
Shfuqizime

Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", me ndryshimet e mëvonshme, Ligji nr. 7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve", Dekreti nr. 1254, datë 19.10.1995 "Për kompensimin e ish-pronarëve të tokës bujqësore dhe jobujqësore dhe të trojeve të zëna, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara" dhe neni 10 i Ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 "Për kontributin e Shtetit për familjet e pastreha", si dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 28
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më - / - / 2004.
KRYETARI
Servet Pëllumbi


SHTOJCA 1
1. Ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 "Për tokën"
2. Ligji nr. 7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit"
3. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 378, datë 2.12.1992 "Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve"
4. Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave shtetërore"
5. Ligji nr. 7665 datë 21.1.1993 "Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin"
6. Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ishpronarëve"
7. Ligji nr. 7980, datë 27.07.1995 "Për shit-blerjen e tokave"
8. Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore"
9. Ligji nr. 8312, datë 26.03.1998 "Për tokat bujqësore të pandara"
10. Ligji nr. 8405, datë 17.09.1998 "Për urbanistikën"